Artizanate në Prizren

Zanafilla e zejtarisë vendëse në Prizren ka nisur me paraqitjen dhe zhvillimin e qytetërimit në këtë hapësirë. Bashkëdyzimi i kulturave, religjioneve e etnive të ndryshme ka bërë që edhe krijimtaria materiale në Prizren të jetë e lloj-llojshme, me mjeshtër të shumtë të prodhimeve artizanale që janë shquar me dekorimet e tyre. Zejtarët e Prizrenit përgjatë shekujsh janë marrë me përpunimin e metaleve, lëkurës, tekstilit, drurit, ndërkohë që janë dalluar edhe me prodhimet ushqimore dhe veprimtaritë shërbyese.

Përgjatë historisë Prizreni madje ishte ngritur edhe në një nga qendrat e rëndësishme zejtare të Ballkanit. Në punëtoritë e shumta zejtare, ushtroheshin një varg zejesh. Numri i tyre nga shekulli në shekull vazhdimisht rritej, aq sa në gjysmën e dytë të shek. XIX-të  zejtaria arriti shkallën më të lartë të zhvillimit e afirmimit të vet në këtë qytet. Ushtroheshin 124 lloje zejesh, në mbi 1384 punëtori zejtarësh – dyqane.

Prej zejeve më të përhapura ishin: zeja e armëtarisë (dyfekgjinjve), argjendarisë (kujumgjive), lëkurëtarisë (tabakëve), shalpunuesve (saraçëve), farkëtarëve, kazanxhinjve, briskagjinjve, terzive, nallbanëve, kazazëve, etj.

Mirëpo zhvillimi i teknologjisë dhe kalimi nga manifaktura në industri ka bërë që interesimi për punët e dorës të zbehet, duke shtyrë një numër të këtyre zejeve drejt shuarjes. Megjithatë në qytetin e Prizrenit ende ka mjeshtër që me duart e tyre krijojnë ekzemplarë të rrallë dekorimesh e produkte që përdoren në jetën e përditshme, apo edhe që shërbejnë si suvenirë, që përkujtojnë vizitën në Prizrenin e lashtë dhe historik.